HISTORIKU I INSTITUTIT TË HISTORISË

Fillet e punës kërkimore-shkencore të studimit të historisë së Kosovës i gjejmë në janar të vitit 1946 kur u formua Seksioni për gjuhë, folklor dhe histori.

Më 1956 u formua Komisioni për Histori, që punoi deri më 31 dhjetor 1966. Komisioni punën e tij e kishte orientuar në studimin e Lëvizjes Punëtore dhe të Luftës Nacionalçlirimtare (1941-1945).

Më 1967 u themelua Enti i Historisë si institucion shkencor dhe profesional me këto seksione: Seksionin e Lëvizjes Punëtore, të LNÇ-së dhe të Ndërtimit Socialist; Seksionin e Historisë së Mëhershme të Kosovës dhe Seksionin e Arkivit dhe të Dokumentacionit.

Themelues i Entit të Historisë ishte Kuvendi i Kosovës, që përcaktohej edhe me nenin 3 të Vendimit nr. 575 të datës 20 prill 1967.

Kuvendi i Kosovës më 18 prill 1978 miratoi Ligjin mbi punën shkencore-kërkimore. Në bazë të këtij ligji Enti i Historisë ngritej në Institut. Kuvendi i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 26 mars 1980 (KK Nr.612-1/80), miratoi Ligjin mbi Institutin e Historisë të Kosovës (Gazeta Zyrtare e KSAK, nr.12 të 28 marsit 1980, 403-404).